Sergej Neçajev

Sergej Neçajev (1847-1882) lindi në Ivanovo, Perandoria Ruse, në një familje ish-shërbëtorësh. Nëna i vdiq kur ishte vetëm tetë vjeç, dhe babai u përpoq t’ia mësonte edhe të birit zanatin e shërbyesit. Neçajevi mori një edukim bazë në shkollat kishtare dhe pedagogjike të vendlindjes. Në moshën 18-vjeçare Neçajevi u zhvendos në Moskë, mandej në Petërburg, ku iu bashkua menjëherë grupimeve studentore radikale të Rusisë cariste. Prej këtu, veprimtaria e vrullshme subversive e Neçajevit, duke përfshirë vrasjen brutale të bashkërevolucionarit Ivan Ivanov, solli një sërë shpërnguljesh e vajtje-ardhjesh brenda Rusisë dhe në Evropë. Në vitet e fundit para arrestimit, për shkak të ashpërsimit të marrëdhënieve edhe me bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe veprimeve përherë e më ekstreme, Neçajevi mbeti përherë e më i izoluar. U arrestua në Zvicër më 1872, iu dorëzua autoriteteve cariste, dhe u dënua me 20 vjet punë të detyruar për vrasjen e I. Ivanovit. Vdiq në burg në moshën 35 vjeç.
Figura e Neçajevit u përjetësua në romanin “Djajtë”, të F. Dostojevskit, i cili e bazoi personazhin e Pjotër Stepanoviçit mbi Neçajevin, dhe subjektin e romanit mbi komplotin dhe vrasjen e Ivan Ivanovit.
Ndonëse qasja e bolshevikëve me shkollën politike neçajeviane ishte e përzier (Lenini u ndikua prej tij, por “Katekizmi” u kritikua nga bolshevikët para dhe pas revolucionit), Neçajevi mbetet figura më ekstreme e revolucionarit fanatik, i cili përdori çdo mjet dhe dha absolutisht gjithçka për revolucionin.

Po shfaqet përfundimi i vetëm