Përshkrim
***
Në fëmijëri shikoja një ëndërr që më përsëritej shpesh: shikoja një fëmijë (dhe ky fëmijë, çuditërisht, isha unë vetë dhe e shihja dhe e vrojtoja veten sikur të isha dikush tjetër) që lozte në heshtje një lojë që nuk arrija ta kuptoja dot. E vrojtoja me kujdes, duke u përpjekur të kapja kuptimin e gjesteve të tij, të vështrimeve të tij dhe të fjalëve që murmuriste. Dhe, papritur, duke më parë me seriozitet të madh, ai më thoshte: po vështroj me vëmendje hijen e këtij muri në dysheme dhe, nëse kjo hije arrin të lëvizë, nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Në fjalët e tij kishte një pritshmëri të matur por edhe të tmerrshme. E atëherë, edhe unë filloja ta vëzhgoja hijen tërë frikë. Është e panevojshme të them se nuk bëhej fjalë për zhvendosjen e rëndomtë që mund t’i ndodhte hijes thjesht nga lëvizja e diellit: ishte TJETËR GJË. Kështu që dhe unë filloja ta vëzhgoja me ankth. Derisa vija re që hija niste të lëvizte ngadalshëm, por në mënyrë të perceptueshme. Zgjohesha i mbytur në djersë e duke bërtitur. Ç’dreq ëndërr ishte ajo ashtu?! Ç’paralajmëronte?! Çfarë simbolizonte?! Çdo natë bija në gjumë me tmerrin e asaj ëndrre. Dhe çdo mëngjes, sapo zgjohesha, gjoksi im mbushej i çliruar me frymë kur vija re se, edhe një herë tjetër, kisha shpëtuar nga ai rrezik. Net të tjera, përkundrazi, vinte ai çasti i tmerrshëm: sërish e shihja fëmijën, murin dhe hijen; sërish fëmija më shikonte vrazhdë, sërish shqiptonte fjalët e tij të çuditshme dhe sërish, në fund, pasi e vrojtoja me ankth hijen e murit, vija re se si ajo niste të lëvizte e të deformohej. Atëherë, zgjohesha i mbytur në djersë e duke bërtitur.
***