Përshkrim
Në këtë libër trajtohet farefisnia në zonat paraurbane. Lëvizjet e mëdha demografike në Shqipëri pas vitit 1990 u shoqëruan me ndryshimin e vendbanimit të treçerekut të popullsisë, duke zgjeruar periferitë e qyteteve të mëdha, por më së shumti Tiranës dhe Durrësit. Një prej zonave më tipike ku u vendosën banorët e rinj është Kamza. Ndryshimi i vendbanimit nuk do të thotë ndryshim i menjëhershëm kulturor dhe shkëputje e prerë me të shkuarën. Ky studim synon të krahasojë dhe analizojë përvijimin ose ndërprerjen e lidhjeve farefisnore të banorëve të ardhur. Kamza, gjatë këtyre 27 viteve, u popullua kryesisht me banorë të zonave veriore dhe verilindore, por ndërkaq, ky vendbanim mban bashkë banorë që vijnë nga rreth 34 qytete të Shqipërisë. Duke marrë pjesë në jetën e përditshme në komunitet përmes punës etnografike në terren, si dhe me anë të studimit të asaj çfarë ndodh në të tashmen në jetën e banorëve të rinj, autori synon të shqyrtojë objektivisht gjithë këto dinamikat sociale.