Përshkrim
“Simulakra dhe simulim” është një sprovë filozofike e botuar më 1981, në të cilën shqyrtohet përvoja jetësore dhe natyra e realitetit në kohën tonë. J.L. Borges, në një fabul të famshme (“Mbi saktësinë në shkencë”), përshkruan një hartë të madhe sa vetë perandoria, e cila hartë shtrihet mbi territorin e njëmendtë dhe korrigjohet sipas tkurrjeve dhe zgjerimeve të perandorisë. Këtu realiteti i perandorisë është ende në marrëdhënie me simbolin e tij, meqë ndryshimi i njërit sjell ndryshimin e tjetrit. Vjen një çast kur perandoria nuk ekziston më, dhe gjithë ç’mbetet është vetëm harta. Sipas Baudrillard-it përvoja jetësore bashkëkohore zhvillohet e gjitha jo më në realitet (perandoria ka rënë dhe është zhdukur), por në hiperrealitet, domethënë një rrjetë simbolesh të rrënjosura në të tjera simbole, pa asnjë kontakt me “realitetin”, i cili tashmë është zhdukur përfundimisht.
Baudrillard merr në analizë disa fenomene themelore të përvojës bashkëkohore, si media, gjuha, ideologjia, kapitalizmi, në pëprpjekje për të hedhur dritë mbi marrëdhënien midis tyre dhe “hiperrealitetit” që këto gjenerojnë, çka ende sot, mbi dyzet vjet pas botimit të parë, e bën sprovën e tij tejmase aktuale dhe provokuese.