Përshkrim
Regjimi i instaluar në Shqipëri gjatë sundimit të gjatë të Partisë komuniste mbajti një qëndrim armiqësor ndaj feve dhe traditave fetare, deri në asgjësimin e tyre nga hapësira publike në 1967. Paralelisht me përpjekjet kundër feve historike tradicionale, u zhvillua një proces sakralizimi i politikës që gradualisht i dha jetë një feje politike të ngritur mbi ndërthurjen e ateizmit shkencor të matricës sovjetike me një soj nacionalizmi rilindës të shpërfytyruar. Një kompleks mitesh, ritesh, simbolesh, dogmash dhe normash etike u vu në zbatim nga Partia-Shtet me synim konsakrimin e entiteteve shekullare, si Partia, Populli, Proletariati e Atdheu, shëlbimin dhe udhëheqjen e shoqërisë drejt një të ardhmeje imanente, si dhe përcaktimin e qëllimeve fundore të ekzistencës. Një fe e tillë politike kushtëzoi zgjedhjet e institucioneve publike, marrëdhëniet shoqërore dhe përditshmërinë e qytetarit-besimtar, «njeriut të ri», të konceptuar për të qenë plotësisht i nënshtruar dhe i devotshëm deri në vetëflijim.