Përshkrim
Më poshtë disa fragmente të shkëputura nga intervista e fundit e autorit, dhënë revistës Playboy më 2003.
***
PLAYBOY: Ç’është atdheu për ju?
BOLANJO: Më vjen keq t’ju jap një përgjigje pa shije. Atdheu im i vetëm janë dy fëmijët e mi, Lautaro dhe Aleksandra. Dhe ndoshta, por në plan të dytë, disa çaste, disa rrugë, disa fytyra ose skena ose libra që janë brenda meje dhe që ndonjë ditë kam për t’i harruar, çka është gjëja më e mirë që mund të bëhet me atdheun.
[…]
PLAYBOY: Ç’do t’i kishit thënë [Salvador Aljendes] po ta kishin njohur?
BOLANJO: Pakogjë ose asgjë. Ata që kanë pushtet (qoftë dhe për një kohë të shkurtër) nuk marrin vesh fare nga letërsia, dinë vetëm interesat e pushtetit. Dhe unë mund të jem loloja e lexuesve të mi, po m’u tek, veçse asnjëherë i njerëzve të pushtetshëm. Tingëllon pak melodramatike. Tingëllon si deklaratë e një kurve të ndershme. Po tekefundit kështu është.
[…]
PLAYBOY: A keni derdhur ndonjë lot për kritikat e shumta që ju kanë bërë armiqtë tuaj?
BOLANJO: Kiamet: sa herë që lexoj se ndokush flet keq për mua, filloj të qaj, zvarrisem në dysheme, çirrem me thonj, pushoj së shkruari për një kohë të papërcaktuar, më ikën oreksi, pi më pak cigare, bëj sport, bëj shëtitje buzë detit, i cili, në parantezë, është më pak se tridhjetë hapa nga shtëpia ime, dhe pyes pulëbardhat, paraardhëset e të cilave hëngrën peshqit që hëngrën Uliksin, pse unë, pse unë, që s’u kam bërë asnjë të keqe.
[…]
PLAYBOY: A keni vjedhur ndonjë libër që pastaj nuk ju ka pëlqyer?
BOLANJO: Asnjëherë. E mira e vjedhjes së librave (dhe jo të kasafortave) është se mund ta shqyrtosh me nge përmbajtjen para se të kryesh krimin.
[…]
PLAYBOY: Cilat gjëra ju sjellin mërzi?
BOLANJO: Ligjërata e zbrazët e së majtës. Ligjëratën e zbrazët të së djathtës e marr si të mirëqenë.
[…]
PLAYBOY: Si është parajsa?
BOLANJO: Si Venecia, besoj, një vend i mbushur me italiane dhe me italianë. Një vend që përdoret dhe që prishet pak nga pak dhe që e di se asgjë nuk është e përjetshme, as edhe parajsa, dhe se tekefundit kjo s’ka rëndësi.
PLAYBOY: Po ferri?
BOLANJO: Si Siudad Huares, që është mallkimi ynë dhe pasqyra jonë, pasqyra e shqetësuar e frustrimeve tona dhe e interpretimit tonë të poshtër të lirisë dhe të dëshirave tona.
PLAYBOY: Kur e mësuat që keni që sëmundje të rëndë?
BOLANJO: Më 92-shin.
PLAYBOY: Çfarë ndryshimesh ka sjellë sëmundja në karakterin tuaj?
BOLANJO: Asnjë ndryshim. Kuptova se nuk jam i pavdekshëm, gjë që, në moshën tridhjetetetë vjeç, kishte ardhur koha që ta kuptoja.
PLAYBOY: Çfarë gjërash dëshironi të bëni para se të vdisni?
BOLANJO: Asgjë të veçantë. E po, do të më pëlqente më shumë të mos vdisja, sigurisht. Po herët e vonë zonja e nderuar vjen, problemi është se ndonjëherë nuk është zonjë dhe ca më pak e nderuar, po më tepër, siç thotë Nikanor Parra në një poezi, është një kurvë e nxehtë, gjë që bën t’i kërcasin dhëmbët edhe atij që është më i zoti.
PLAYBOY: Cilin do kishit më shumë dëshirë të takonit në botën e përtejme?
BOLANJO: Nuk besoj në botën e përtejme. Çfarë befasie do ishte po të ekzistonte! Do regjistrohesha menjëherë në ndonjë kurs që do jepte Paskali.
[…]
PLAYBOY: Çfarë ju sugjeron fjala “postum”?
BOLANJO: Tingëllon si emër gladiatori romak. I një gladiatori të pathyeshëm. Së paku kështu pandeh Postumi i shkretë për t’i dhënë guxim vetes.
PLAYBOY: Çfarë mendoni për ata që mendojnë se do ta fitoni Çmimin Nobel?
BOLANJO: Jam i sigurt që nuk do ta fitoj, siç jam edhe i sigurt që do ta fitojë ndonjë bjerraditës nga brezi im dhe as që do më përmendë qoftë dhe kalimthi në ligjëratën e Stokholmit.