Përshkrim
“Katekizmi i revolucionarit” është një pamflet udhëzues për formimin dhe organizimin e shoqërive sekrete, të cilat kanë si qëllim të vetëm final sjelljen e revolucionit shoqëror, e konkretisht shkatërrimin e rendit ekzistues të përfaqësuar, në kohën dhe vendin e botimit (Perandoria Ruse prerevolucionare), nga shteti, aristokracia dhe kleri. Për arritjen e këtij qëllimi, autori ofron pa mëdyshje tezën se, meqë rendi ekzistues nuk ka asnjë skrupull në përdorimin e çdo mjeti për mbajtjen e pushtetit, duke përfshirë dhunën e hapur, terrorizmin e çdo gjë tjetër poshtë këtyre, atëherë edhe revolucionari që kërkon përmbysjen e këtij rendi duhet të përdorë të njëjtat mjete për qëllimin e tij.
Parimi themelor “qëllimi justifikon mjetin” e përshkon gjithë “Katekizmin”. Karakteri i këtij teksti është pashmangshmërisht i lidhur ngushtë edhe me karakterin e autorit të tij, revolucionarit, anarko-komunistit dhe nihilistit rus Sergej Neçajev. Ai nuk synon të jetë një përsiatje teorike, por një udhëzues praktik, i cili gjeti zbatim në radhë të parë në vetë jetën dhe veprimtarinë subversive të autorit. I ribotuar gjerësisht në Perëndim në periudhën e pasluftës, “Katekizmi” pati ndikim në grupime ekstremiste si “Black Panthers” në SHBA, dhe “Brigadat e kuqe” në Itali.
Në këtë botim, lexuesi mund t’i qaset tekstit së bashku me një parathënie kritike të Dedejt. Në këtë ese të gjatë hyrëse, përkthyesi e kontekstualizon autorin në çastin historik kur ai shkroi, në kuadrin e rrymave të mëdha të socializmit rus të shek. XIX.
