Përshkrim
Nga parathënia e E. Weil për librin:
“Titulli i këtij punimi është Hegeli dhe Shteti. Por titulli nuk e tregon saktë shtrirjen dhe objektin e tij: në fakt, bëhet fjalë për një kritikë të kritikës tradicionale, sipas së cilës Hegeli qenkësh apologjisti i shtetit prusian, dhe profeti i asaj çka njihet rëndom me emrin shtetizëm. Sa qëndron kjo kritikë? A mjafton të vëresh se Shteti është në qendër të mendimit politik të një filozofie për të mos u marrë më me të? Së fundi, edhe sikur e ligjshme të jetë sa më lart, a vlen një kritikë e tillë në rastin e Hegelit?
Autori e di se reagimet që do provokojë një orvatje e tillë do jenë unanime: ai ka bërë krim. Arsyet e gjykimit do jenë nga më të ndryshmet; do thonë se ky interpretim (ose kundërinterpretim) është një apologji e diktaturës së majtë, e diktaturës së djathtë, e liberalizmit, e moralizmit, e indiferentizmit, e dogmatizmit etj.; akuzat do jenë të ndryshme, por verdikti i njëjti. Autori ka vendosur të mos kërkojë pafajësinë, jo se mendon se nuk ka të drejtë, por sepse e di se shanset për ta marrë janë shumë të pakta. Ai vetëm sa i njeh vetes të drejtën të theksojë se punimi i paraqitur është një tezë shkencore mbi një libër shkencor, se ajo çka ai thotë (dhe çka ai mendon se ka thënë Hegeli) është e gjykueshme vetëm si e vërtetë ose e rreme, dhe se s’mund të merret me konsiderata oportuniste.”