Përshkrim
Është, tashmë, diçka e vështirë dhe, ndoshta, artificiale të përqendrohesh tek “Antigona” e Sofokliut pa e mbajtur në një distancë sigurie kritikën e Anouilh-it ndaj mitit.
–George Steiner
Nga sa vepra ka rastisur të ndjek në premierë, vetëm për ato të Jean Anouilh-it mund të them me siguri se përbëjnë shprehje të një dramaturgu të lindur. […] Atmosferën e tmerrit, që sundoi në botë për shkak të asaj lufte dhe që duket se është edhe atmosfera jonë e sotme, e gjejmë qysh në veprat e para të Anouilh-it. Mjafton të përmendim këtu atë tip unik që shfaqet edhe te “Bisha” edhe tek “Antigona” dhe që ngulmon me të njëjtën zjarrmi në refuzimin e së papranueshmes, sepse pohimi është ndërkaq bashkëfajësi, është tradhti. Por gjenia teatrore nuk ia lejon Anouilh-it që këtë virtyt ta bëjë normë. Ai e shikon me dhimbje absurditetin e bukurisë së këtij ideali. Prandaj, nga njëra anë, vëren tek Kreoni njeriun e detyrës, i cili jo vetëm është i ndërgjegjshëm për të, por bëhet edhe mishërim i saj, në njëfarë mënyre, pa kurrfarë iluzioni. Pikërisht këtu qëndron madhështia e mahnitshme e skenës qendrore të “Antigonës”.
–Gabriel Marcel
