Përshkrim
Në këtë sprovë të shkurtër, Han merret me transparencën, koncept me rëndësi të dorës së parë në të folurën e sotme, njëherazi term dhe slogan. “Transparenca” ka ardhur duke e sunduar ligjërimin publik për tema si korrupsioni, liria e informacionit, e deri te marrëdhëniet midis njerëzve. Sipas këtij përdorimi, transparenca është thelbësore për demokracinë, prek në themel sferën politike, ekonomike dhe jetën private. Gjithkush mund të përftojë çfarëdolloj informacioni rreth gjithçkaje. Gjithçka – dhe gjithkush – është bërë transparent/e: është zbuluar ose ekspozuar nga aparatet që ushtrojnë kontroll kolektiv mbi botën postkapitaliste.
Megjithatë, transparenca ka një anë të errët që, për ironi, lidhet pikërisht me mungesën e misterit, hijes dhe nuancës. Prapa qasshmërisë së dukshme të dijes fshihet zhdukja e privatësisë, homogjenizimi dhe rrënimi i mirëbesimit. Ankthi për të akumuluar sa më shumë informacion nuk sjell domosdoshmërisht më shumë dije apo besim. Teknologjia krijon iluzionin e gjithëpërmbajtjes dhe monitorimit të pandërprerë të informacionit, mirëpo na mungon interpretimi i përshtatshëm për këtë fluks të pandërprerë informacioni. Në këtë manifest, Byung-Chul Han e denoncon transparencën si një ideal të rremë, si mitologjinë bashkëkohore më të dëmshme dhe më të fuqishme.