Përshkrim
Carl Schmitt është një nga mendimtarët politikë dhe juristët më të rëndësishëm të shekullit të kaluar. Figurë e spikatur dhe origjinale e intelektualëve europianë, puna e tij përshkon disiplina por edhe tema komplekse, epoka dhe probleme të mprehta, të pasura teorikisht sa të mos humbin aftësinë e riaktualizimit. Në një raport problematik me traditën hobbesiane, Schmitt-i analizon disa nga fenomenet më të rëndësishme për teorinë e së drejtës dhe të mendimit politik. Mënyra se si tezat e tij përshkojnë nyje shumëshekullore për të nxjerrë në dritë themelin e paqëndrueshëm të politikes, në të njëjtën kohë që zhvillohet përballja me rrymat e mendimit liberal e pozitivist, tregojnë natyrën autentike të shqetësimit të tij intelektual dhe, si e tillë, mbetet njëlloj apeluese sot, në përpjekjen për të menduar kritikisht shpërfaqjen e një rendi të ri global dhe boshtet problematike që implikohen në të. Ky vëllim është përpjekja për të analizuar mendimin e Carl Schmitt-it, por edhe për të menduar dialektikisht bashkë me të, apo nisur prej tij në zhvillime virtuale tematike dhe konceptuale, duke u ballafaquar me sprovimin kritik të mendimit të tij si një domosdoshmëri teorike dhe historike.