Përshkrim
Këto 40 komedi, shpesh jo më të gjata se një paragraf, rimarrin mite e personazhe që shkojnë nga lashtësia greke, deri te eposi i kreshinikëve. Gjejmë këtu edhe figura të njohura e të panjohura bashkëkohore, të vërteta apo të trilluara, si Lasgushi, apo Askushi. Kanë zë edhe objekte me famë, si Guri i Sizifit, apo Mëlçia e Prometeut. Flasin filologë e marangozë.
Çka e bën bashkë këtë katalog tejet të larmishëm zërash është, mbi të gjitha, ironia e hollë dhe stili i përkorë i autorit, i cili hyn me dorë të sigurt në një dhomë në terr të plotë dhe ndez, krejt shkurtimisht, një llambushkë të vogël, aq sa për të parë komeditë e vogla të personazheve. Pastaj drita fiket, dhe në vegimin e lënë pas në sytë tanë, tashmë sërish në errësirë, shquhen trajtat e turbullta të komedisë së madhe të jetës.
