Përshkrim
“Dorëshkrimet ekonomiko-filozofike të vitit 1844” u shkruan kur Marksi ishte i ri, gjatë qëndrimit të tij në Paris në vitet 1843-1845, një periudhë vendimtare në formimin dhe veprën e tij të mëvonshme. “Dorëshkrimet” ndërkaq u bënë të njohura për publikun vetëm thuajse një shekull më pas (1933), botuar në fillim në Bashkimin Sovjetik, mandej në Europë.
“Dorëshkrimet” përmbajnë një kritikë të ekonomisë politike klasike, një shqyrtim të komunizmit dhe pronës private, një analizë të filozofisë ekonomiko-politike të Hegelit, ndikuar veçanërisht nga kritika që Fojerbahu i bën këtij të fundit. Marksi analizon aspekte të marrëdhënieve mes pronës private dhe punës, punëtorit dhe produkti të punës së tij, çka, ndër të tjera, e shpie në ripërkufizimin – origjinal dhe tepër me rëndësi – të konceptit kyç të kritikës së shoqërisë kapitaliste: atë të tëhuajësimit të individit.
Si vepër që i paraprin “pjekjes” së mendimit të Marksit (thyerjes përfundimtare me idealizmin gjerman dhe me gjithë filozofinë e mëhershme), sidomos krahasuar me Marksin e kanonizuar para luftërave botërore, botimi i “Dorëshkrimeve” solli rigjallërim të interpretimeve të filozofisë marksiste, duke shkaktuar debate të shumta e duke ndikuar vendosmërisht të gjitha rrymat e marksizmit të shekullit XX.